Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ishte shumë kritik kundrejt skuadrës së tij pas humbjes kundër Partizanit, duke thënë që po mungon përqendrimi dhe mobilizimi. Në fjalën e tij për “Supersport”, Shehi u shpreh:
NDESHJA – “Vendi i tretë nuk është i tepërt. Por vazhdon ajo sindroma… Jemi një skuadër e re dhe vazhdojmë të mposhtemi nga episodet, nuk është se kundështari na dominon. Kemi një skuadër të re dhe nuk po e kuptojnë që ndeshja vendoset nga episodet. Duhet të bënim më mirë në qarkullim topi. Kemi humbur shumë topa. Ajo që kërkoj unë, filozofia ime, është që skuadra të luajë me topin. Jemi edhe në një krizë besimi, nuk marrim përsipër. Në stërvitje i bëjmë shumë mirë gjërat, në fushën e lojës jo. Duhet të ishim të kujdesshëm, sidomos te penalltia, pasi Partizani është i rrezikshëm në kundërsulme”.
FILLIMI I KAMPIONATIT – “Jo, nuk ishte rastësi. Ishte fryt i mobilizimit, përqëndrimit. Në dy fazat e para, skuadra ishte e përqëndruar dhe nuk i lejonim kundërshtarët as të na vinin te porta. Por me kalimin e ndeshjeve na mungoi grinta, dëshira, dhe kemi humbur shumë pikë. Kemi bërë ndeshje të mira me Teutën dhe me Kukësin në shtëpi, por çedojmë në Gjirokastër dhe në disa ndeshje të tjera”.
MBIJETESA – “Tani ne mundemi nga episodet. Duhet të rrisim vlerësimin. E dimë shumë mirë që janë dhe 7 javë, pasi Kamzën nuk e quajmë. Ne jemi Skënderbeu dhe të fillojë Skënderbeu që të shikojë mbrapa, duhet të iki unë i pari dhe më pas e gjithë skuadra. Duhet t’i vëmë gishtin kokës dhe të mos neglizhojmë. Duke ditur që edhe shumë pak javë janë, duhet t’i mendojmë mirë gjërat” tha Shehi.