Shameti gati për Teutën, edhe Rrumbullaku zbret në fushë

Ylli Shameti nuk ishte në fushë në ndeshjen e fundit me Tiranën. Kapiteni i verilindorëve kishte një shqetësim prej disa kohësh dhe mjekët e ndaluan që të zbriste në fushë, ndonëse gjirokastriti si gjithnjë donte të sakrifikonte për skuadrën.

Pushimi i ka bërë mirë Shametit, i cili tashmë do të jetë gati për ndeshjen e radhës, por së bashku me të në fushën e kompleksit “Internacional” është bashkuar dhe mbrojtësi Simo Rrumbullaku. Mëngjarashi u dëmtua në ndeshjen me Kastriotin dhe pritej që të mungonte për 6 javë, por gjërat kanë shkuar mirë dhe mund të rikuperohet para kohe edhe pse duket e vështirë që të jetë gati për takimin e kësaj jave.

Të dy gjirokastritët kanë bërë vrapime të lehta rreth fushe, por së bashku kanë qenë dhe në palestër paradite, ku janë ushtruar së bashku me Besar Musollin, i cili po ashtu vijon që të punojë me shumë intensitet, në mënyrë që të rikthehet sa më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *