Tirana dhe Laçi do të luftojnë fort mes tyre për të siguruar fitoren. Ndeshja e kampionatit zhvillohet ditën e shtunë, ndërsa ekipet vijnë të karikuara në maksimum për këtë ndeshje. Bardheblutë duan të evitojnë ecurinë e mirë, ndërsa kurbinasit duan të reagojnë pas humbjes 3-0 në kryeqytet, në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës.
Te Tirana kërkojnë vetëm trepikëshin. Majkëll Ngo nuk ka kryer seancën stërvitore gjatë ditës së djeshme. Bomberi ndjen probleme në gju dhe ka kryer vetëm vrapime. Nuk është hera e parë që e bën një gjë të tillë, por sot anglezi ka kryer të plotë seancën stërvitore dhe pritet ta nisë si titullar duelin e fundjavës.
Në anën tjetër, Laçi kërkon të arrijë fitoren e parë me Starovën në stol. Gentian Selmani, portieri dhe kapiteni i bardhezinjve, ka folur për mediat, duke karikuar shokët e ekipit për këtë ndeshje shumë të rëndësishme.
“Përgatitjet kanë shkuar mirë, në stërvije kemi qenë të gjithë në maksimum. Jemi gati për ndeshjen me Tiranën dhe synojmë të marrim më të mirën të mundshme. Ne do të synojmë të marrim maksimumin në çdo takim deri në fund të sezonit dhe të arrijmë objektivat që janë vendosur nga presidenti“, përfundon 21-vjeçari i Laçit.