Është përfolur shumë dhe sa duket gjithçka është reale: stadiumi “Selman Stërmasi” do të marrë pamje tjetër, duke u kthyer në një qendër multifunksionale. Kryebashkiaku Erjon Veliaj e thotë hapur, që më mirë një stadium me kullë, se sa një stadium me gomisteri.
I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në Vizion Plus, Veliaj ka deklaruar: “Nuk mund t’i themi privatit, ‘shiko, ma bëj 30 milionë euro teatër, të jetë edhe nga dizajneri më i mirë në botë dhe do ta bësh këtë për frymën e shenjtë”. Jo, atij do i thuhet: “te pjesa jote private do të lëmë të ndërtosh, siç bëmë me stadiumin”.
Qyteti fitoi një stadium, qyteti fitoi një teatër. Do t’ua them troç? Të njëjtën gjë do bëj edhe me stadiumin ‘Dinamo’ (Selman Stërmasi) dhe me pallatin e sportit. Janë ku thërret kiameti. Tani që po bëhet ‘Arena Kombëtare’, është një moment për të thënë që edhe stadiumit ‘Dinamo’ le t’i vëmë hapësira komerciale. Pra le ta bëjmë pjesën e vizitueshme.
Sot aty është vetëm një restorant dhe një gomisteri. Ndoshta atë e bëjmë pa kullë. Pjesët nën ulëset komercializohen dhe bëhen dyqane, fitness, restorante, hoteleri. E gjithë zona aty merr një tjetër zhvillim. Kullë aty? Më mirë kulle se gomisteri. Aty do punojnë edhe 300 vetë, siç ndodh edhe në vende të tjera”.