“Lufta” mes Barcelonës e Realit të Madridit i kalon kufijtë e futbollit, sepse beteja për pavarësinë e Katalunjës kalon edhe nga dueli në futboll. Një ndër personazhet më aktivë kur bëhet fjalë për politikën dhe Katalunjën e pavarur është Zherard Pike, i cili prej vitesh i thotë hapur ato që mendon dhe shpesh ka tërbuar pjesën tjetër të Spanjës, atë që është kundër pavarësisë së Katalunjës.
Ditën e enjte Pike ishte i ftuar në një talk-show në Madrid, “La Resistencia” drejtuar nga komediani David Bronkano, në televizionin Movistar+. Në fakt, ishte vetë Pike që shkroi në Twitter para pak ditësh: “A mund të vetëftohem në programin tuaj? Gjithsesi, po kaloj sa për t’i dhënë dorën Davidit”.
Batuta dhe humor pa fund, me Pike që nuk e humbi rastin për të lëshuar një thumb ndaj Real Madridit, kur u pyet sa herë kishte bërë seks në muajin e fundit. Përgjigja e mbrojtësit ishte e pabesueshme: “A quhet Bernabeu?”, duke ju referuar fitoreve të Barcelonës pak javë më parë në Madrid.
Bronkano e pyeti Pikenë edhe në lidhje me pasurinë e tij, “Sa para ke në llogarinë bankare?”. Pique dha një tjeëtër përgjigje plot humor: “Pas kaq vitesh në futboll, kam në bankë më shumë para se buxheti i Espanyol këtë vit. Espanyol e ka 57 milionë euro buxhetin? Atëherë unë kam shumë më tepër se aq”.