“BAM”, janë një treshe interesante e Superiores. Spikatin me Partizanin, janë të rinj dhe sigurisht që ëndrrat i kanë të mëdha. B – Bardhi, A – Asani, M – Mala. Në kampin e kuq pritet titulli dhe një barrë e madhe bie edhe nga këta tre futbollistë. Të shpejtë, teknikë dhe që kuptohen me sy mbyllur.
Në një speciale për RTSH Sport ata flasin gjerë e gjatë dhe fillimisht tregojnë se si kuptohen mes tyre në fushën e blertë. Bardhi ia nis i pari: “Duke u parë në sy, unë për vete kështu i kuptoj”. Mala merr fjalën: “I kuptoj pa i parë fare”. Asani është në të njëjtën linjë. “Edhe unë njëjtë, pa i parë fare. E di se ku janë të dy”.
Duke qenë se luajnë në sulm e kanë provuar shijen e golit dhe në total numërojnë 10 rrjeta të tundura. “Pak gola mund të them se kemi shënuar”, thotë Bardhi, ndërkohë që edhe dy shokët e skuadrës ndajnë të njëjtin mendim. Të pyetur se si ndihen kur ekipi nuk shënon, fushë-krujasi i Partizanit pranon se e ndjen përgjegjësinë si sulmues.
“Unë për vete ndihem përgjegjës, pasi jam pika e parë e sulmit”, thotë i riu. Mala shton: “Normalisht që e ndjejmë përgjegjësinë. Pjesa kryesore është edhe e jona dhe duhet të kemi rendiment më të lartë”. Asani më tej shton: “Po nuk shënuam, do jetë më e vështirë për ekipin”.
Ndodh shpesh që sulmi ia hedh fajin mbrojtjes, por jo Bardhi. “Unë seriozisht ia hedh fajin vetes gjithmonë, jo lojtarëve të tjerë. Ata bëjnë në maksimum punën e tyre. Përgjegjësia bie te sulmuesi”. Për Malën përgjegjësia është e gjithë ekipit dhe nuk i vihet kujt gishti. Po kështu mendon edhe lojtari tjetër që plotëson treshen “BAM”.
Të tre e thonë njëzëri që Partizani futet gjithmonë për të fituar, ndërsa Asani është ai që thekson se kurrë nuk do të humbë. Por kush është më i shpejti prej tyre? “Se di, mua më thonë se jam më i shpejti. Unë jam i shpejtë në distanca, Mala në distanca të shkurtra. Asani është më i ngadalti”. Qeshin të tre dhe Mala shigjeton: “Pajtohem edhe unë me Bardhin, Asani është më i ngadalti”.
Lufta vijon për më të saktin. Bardhi mendon se dy shokët janë më mirë në këtë aspekt, ndërkohë që Mala aprovon dhe shton: “Them Asani. Nuk jep shumë, por jep pasa kualitativë”. Shqiptari i Maqedonisë mendon ndryshe: “Më i sakti mendoj se është… Alban Hoxha”. Bardhi do kish dashur të mos ishte aty kur flitet për lojtarin që pason më pak.
“Oj nënë e zezë. Bardhi? Jo, jo, Asani”, shton sulmuesi i formuar te të kuqtë. Mala e ka refrenin gati: “Pajtohem me Bardhin”. Ilaritet, ndërsa anësori i djathtë i zënë ngushtë përgjigjet: “Janë kundra meje, kuptohet. Unë mendoj se Bardhi nuk pason”.
Në fund flitet për titullin. Mala nuk dëshiron të flasë, Bardhi mendon se janë në rrugën e duhur për këtë dhe ka shumë besim se do ia arrijnë. Kurse për Asanin nuk ka dyshime. “E fiton Partizani, pasi jemi ekipi më i mirë në Superiore”.