Federiko Kieza është një nga futbollistët më premtues italianë, ndërsa drejt lojtarit të Fiorentinës kanë vërshuar oferta nga klube të ndryshme europiane. Juventus, Mançester Junajtid dhe Napoli po punojnë për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit të ekipit “vjollcë”, por në garë është futur dhe klubi i Çelsit.
Mauricio Sarri e pëlqen shumë anësorin ofensiv dhe i ka kërkuar klubit të nisë tratativat për kalimin e tij në Londër siç citon “Daily Express”. Blutë ndodhen në “pole position” dhe do të nisin sulmin për Kiezën në merkaton e janarit, duke i ofruar lojtarit një rrogë të majme.
Lojtari tregoi para disa ditësh që në drejtim të tij kishte ardhur një ofertë prej 63 milionë eurosh, por ai dhe klubi i Fiorentinës vendosën për ta refuzuar ofertën. Sarri është i fiksuar pas cilësive të Kiezës dhe drejtuesit e “Bluve të Londrës” po punojnë për të arritur marrëveshjen në hapjen e merkatos së janarit.