Stivi Frashëri nuk u aktivizua në tre ndeshjet e fundit të kampionatit, me gardianin që u detyrua që t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Gjithsesi, Frashëri konsiderohet si portier i parë dhe u bë çmos që të ishte në fushë që në ndeshjen e turit të parë me skuadrën e Valtesë.
“Sport Ekspres” mëson se numri 1 i portës kuksiane ka pasur probleme që atëherë dhe ka vendosur që të sakrifikojë për skuadrën. Gjithsesi, çdo gjë e ka një kufi dhe tani portieri ka shfaqur sërish probleme dhe po bëhet çmos që të rikuperohet në kohë për ndeshjen me Torpedon.
Kukësi ka të gatshëm Malokun, i cili është një portier me shumë kualitet, por në takimin e kthimit me Karabakun nuk u bashkua me ekipin për arsye burokratike. Për fatin e mirë të Kukësit, Frashëri i shtrëngoi dhëmbët deri në fund, por nëse nuk do të ndodhte, atëherë do i duhej të aktivizonte Bashën, i cili është regjistruar si portieri i tretë.
Këtu bëhen llogaritë, pasi Kukësi e kishte Koliçin në dispozicion, nën kontratë dhe për kupat e Europës, por divorci erdhi para kohe. Mos ndoshta ishte një veprim i nxituar? Po nëse Frashëri nuk ia del dhe Gjeorgjia i hap probleme Malokut, si do të shkojë puna me vetëm Bashën në stol? Një situatë që mbetet për t’u parë.