Fundi i ndeshjes Milan-Lacio solli shumë polemika, tension dhe një sherr, që për fat të mirë u shuajt shpejt. Frenk Kesi dhe Timue Bakajoko vepruan gabim duke festuar pas ndeshjes me bluzën e Açerbit, mbrojtësit të Lacios.
Gjykata sportive do të marrë sot masën ndaj dy mesfushorëve të Milanit. Një tjetër rast i turpshëm pretendohet të ketë ndodhur në momentet e kaosit që ekzistonte në fund të ndeshjes.
Lukas Leiva ka ofenduar një zyrtar për shtyp të kuqezinjve, i cili ndodhej në një karrige më rrota. “Rri ulur aty ku je dhe qepe gojën”, i është drejtuar braziliani i Lacios milanistit. Diçka e tillë është dëgjuar nga inspektorë të ndeshjes në terren.
Mesfushori lacial ka mohuar me forcë, duke pretenduar se edukata e tij nuk e lejon të bëjë një gjë të tillë. Leiva tregon se nuk ka patur asnjë sherr apo problem me ndokënd në karrierën e tij. Tashmë pritet vetëm vendimi. Kesi dhe Bakajoko rrezikojnë, ashtu si dhe lojtari 32-vjeçar i Lacios.