Xhanluixhi Bufon është padyshim një nga legjendat e futbollit italian, i cili ende nuk po dorëzohet dhe vijon të mbrojë portën edhe pse tashmë është 40 vjeç. Ish-portieri i Juventusit, aktualisht te gjigantët francez të PSG-së, ka dhënë një rrëfim rrënqethës, për periudhën më të vështirë të karrierës së tij. Ndër të tjera, Bufon ka habitur dhe me deklaratën e dhënë për të ardhmen.
RRËFIMI – “Diku te 15 vite më parë, për disa muaj, mu duk sikur gjithçka ndaloi së pasuri kuptim. Ndjeja sikur askush nuk ishte i interesuar për mua, por vetëm për kampionin që un prezantoja. Të gjithë pyesnin për Bufonin, por askush për Xhixhin.
Ishte me të vërtetë një kohë e vështirë. Isha 25 vjeç, në kulmin e karrierës sime dhe një ditë, përpara një ndeshje të Serie A, shkova te trajneri i portierëve dhe i thash: ‘Ivano, thuaj Kimenti të bëjë nxemjen dhe të luajë, sepse nuk ndihem mirë sot’.
Isha totalisht në panik. Thjesht nuk mundesha të përballoja ndeshjen. Në qoftë se unë nuk do e kisha treguar këtë përvojë, mund të futesha në një konfuzion total dhe ndoshta mos të dilja kurrë nga aty. Pata mjaftueshëm qartësi për ta kaluar atë udhëkryq dhe për t’ia dalë mbanë. Kurrë nuk kam pasur frikë për të treguar emocionet e mia, ose të qaj. Nuk ka asgjë për të pasur turp”.
E ARDHMJA – “Ideja ime, në rast se PSG është dakord, është që të luaj dhe një vit tjetër. Mund të duket e çuditshme që jam në fushë edhe në moshën 40-vjeçare. Mendoj se kam më shumë ëndrra dhe ambicie se sa kisha kur isha 20 vjeç”.