Lorenc Trashi është një nga pikat më të forta të Partizanit. Gramshioti është një xhol i skemave të Gegës, ndërkohë që para disa ditësh rinovoi kontratën me të kuqtë.
26-vjeçari ka qenë i ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, duke treguar fillimet e karrierës së tij dhe lidhjen e veçantë me futbollin. Trashi zbulon dhe objektivat e Partizanit, rivalët për titull dhe ndalet dhe te një ftesë e mundshme e Shqipërisë.
Kombëtarja është ëndrra e të gjithëve, por lojtari i të kuqve tregohet i qetë dhe insiston te puna e përditshme dhe rritja e tij si lojtar. I pëlqen të bëjë humor, por dhe acarohet ndonjëherë. Mesfushori flet dhe për jetën private, zbulon lidhjen e veçantë me motrat binjake dhe zbulon dëshirat e së ardhmes. Më parë duhet fituar titulli, që mungon prej 25 vitesh në kampin e kuq dhe pastaj dëshira për të provuar forcat në një kampionat të huaj.
DITA – “Zakonisht, e nis si çdo njeri tjetër. Zgjimi, një kafe në mëngjes dhe pastaj dreka. Më pas stërvitja e përditshme, për të luajtur ndeshjet çdo fundjavë.”
FILLIMET ME FUTBOLLIN – “Futbollin e kam nisur në qytetin e Gramshit. E kisha pasion, si çdo fëmijë i vogël, ndërsa rëndësinë ia kuptova rreth moshës 15-16 vjeç. Vendosa t’i përkushtohem më shumë dhe ja ku jam sot.”
MBËSHTETJA – “Pa dyshim, familja. Më kanë ndjekur dhe më kanë shtyrë për çdo gjë, veçanërisht babai im. Ai është personi që ka insistuar më shumë, por ia di për shumë faleminderit të gjithë familjes.”
FUTBOLLI NË SHQIPËRI – “Këtu nuk ke shumë mundësi, madje është dhe pak fat. Puna nuk diskutohet, por mendoj se fati është më i rëndësishmi. Ndikon dhe familja, mundësitë e saj dhe mbështetja që të japin. Jo vetëm këtu, por kudo, nëse nuk ke mbështetje nuk ia del. Mbështetja, besimi dhe puna janë 3 gjërat më të rëndësishme.”
PARTIZANI – “Më cilësojnë si një lojtar nevrik, por dhe karizmatik. Bëj shumë humor në ekip, por, ndonjëherë, nuk arrij t’i mbaj nervat e mia. Mendoj se është gabim, por njeriu mëson nga gabimet e bëra.”
KONTRATA – “E vjetra përfundonte në vitin 2019, por u ula me drejtuesit dhe rinovuam deri në vitin 2020. Të shohim nëse do të qëndroj deri në fund. Shpresoj të më vijë ndonjë ofertë e mirë dhe mund të lëviz.”
OBJEKTIVAT – “Unë kam 5 vite te Partizani dhe çdo vit kemi qenë pretendentë për titull. Për shumë rrethana nuk ia kemi dalë, por këtë vit është ndryshe. Jemi një ekip pa bujë dhe pa emra të mëdhenj. Po punojmë mirë, nuk e them se jemi për kampion, por shpresoj të jetë viti i duhur për të fituar titullin.”
RIVALËT – “Renditja tregon se ekipi për t’u mundur është Skënderbeu. Patën një lëkundje nga dënimi i UEFA-s, por janë një ekip shumë i fortë. Nuk i mendonte kush si pretendentë për titull, por kanë një bazë të fortë. Në lojë për titullin janë dhe Kukësi me Flamurtarin.”
KOMBËTARJA – “Gjithmonë më pyesin për kombëtaren. Do të dëshiroja shumë të isha pjesë e saj, por nuk është në dorën time. Mua më ngelet të jap 100% në stërvitje dhe ndeshje. Shpresoj që një ditë të më vijë ftesa dhe do të isha shumë i lumtur të tregoja aftësitë e mia dhe sa vlej.”
JETA PRIVATE DHE PIKA E DOBËT – “Akoma nuk kemi asgjë. Statuti im është beqar. Motrat binjake janë pika ime e dobët. I dua shumë fort dhe janë dy persona të veçantë për mua. E përkrahim shumë njëri-tjetrin dhe kemi marrëdhënie shumë të mira.”
OBJEKTIVI PERSONAL – “Dua të fitoj trofe me Partizanin. Shpresoj shumë që të fitojmë titullin. Si çdo futbollist, edhe unë preferoj të luaj në një kampionat më të fortë. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë dhe me ndihmën e klubit.”