Amir Rrahmani mund të largohet nga Dinamo e Zagrebit. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës po monitorohet me kujdes nga tre klube: Sëlltiku, Amiens dhe Standard Liezh.
Kampionët e Skocisë dhe klubi francez e pëlqejnë shumë 25-vjeçarin e lindur në Prishtinë, i cili bën mirë çdo rol të repartit defensiv, por për ta mund të jetë tepër vonë. Sipas raportimeve të mediave belge, Standardi është një hap përpara dy klubeve të tjera, pasi ka nisur negociatat me homologët kroatë.
Rrahmani numëron 22 ndeshje të zhvilluara me Kosovën (ka luajtur edhe dy ndeshje me Shqipërinë) dhe është kthyer në një pikë fikse të kampionëve kroatë. Ai është gati për të hedhur një tjetër hap cilësor në karrierën e tij dhe Belgjika duket se do të jetë stacioni i radhës.
Vetë lojtari e pëlqen një transferim te Standardi, edhe pse nuk mund të përjashtohen oferta surprizuese nga Sëlltiku dhe Amiens në momentet e fundit.