Juventus mori një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Empolit në transfertë, teksa përmbysi disavantazhin e pjesës së parë. Kristiano Ronaldo ishte njeriu i ndeshjes me dy gola të shënuar, ku goli i dytë ishte mjaft i bukur. Janë shtatë tashmë golat e shënuar nga portugezi me fanellën bardhezi. Pikërisht 34-vjeçari foli pas sfidës dhe u shfaq mjaft i lumtur në fjalët e tij.
NDESHJA – “Ishte një ndeshje shumë e komplikuar. E dinim që do të ishte e vështirë, sidomos pas ndeshjes në Champions, pasi ishim dhe pak të lodhur. Ne qëndruam në lojë dhe përmirësuam gabimet e pjesës së parë. Krijuam shumë raste dhe morëm një fitore të merituar”.
GOLI – “Nuk e mbaj mend golin mirë dhe më duhet ta rishoh përsëri sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kisha besim se mund të bëja diçka në atë pozicion, prandaj mora përsipër të godisja. Kjo ishte një javë e rëndësishme dhe jam i lumtur që ia dolëm më së miri. Bëmë një performancë të shkëlqyer në Mançester, gjithashtu dhe sot, por patëm disa vështirësi për mënyrën se si shkuan gjërat”, përfundoi portugezi i “zonjës së vjetër”.