Alesio Romanjoli ka folur dhe në lidhje me trajnerin aktual të Milan, Xhenaro Gatuzo. 23-vjeçari tha për “Sky Sport” se ekipi është gati të vdesë për Gatuzon në fushë, duke thënë fjalë mjaft të mira për teknikun.
“Ne kemi besim të pakufizuar te Gatuzo, është njeri me zemër dhe të gjithmonë ka qenë në krahun tonë. Ekipi do të vdiste për të, gjëja më e rëndësishme është të përqendrohemi dhe të qëndrojmë të bashkuar”.
Të gjithë e kujtojnë transferimin e bujshëm të një viti më parë, ku Leonardo Bonuçi u largua nga Juventus në drejtim të Milanit. Italiani me mbërritjen e tij në “San Siro”, mori dhe shiritin e kapitenit në ekipin kuqezi, por “djalli” nuk arriti pritshmëritë sezonin e kaluar. Merkaton e verës që lam pas, telenovela vijoi përsëri, teksa Bonuçi u rikthye në Torino sërish.
Bonuçi ishte për një vit pjesë e Milan dhe përkrah tij në repartin difensiv ishte dhe Alesio Romanjoli. Qendërmbrojtësi kuqezi këtë vit ka marrë shiritin e kapitenit dhe po bën një sezon të kënaqshëm. Gjithsesi, 23-vjeçari është rikthyer të flasë për ish-kapitenin Bonuçi, duke thënë fjalë të mira për të, pavarësisht largimit të tij drejt Juventusit përsëri.
“Të gjithë i dinë vlerat e Leos dhe çdokush do të dëshironte ta kishte në ekip. Ai dhe klubet morën vendimet e tyre. Ne nuk pendohemi për këtë gjë, pasi kemi lojtarë si Musakio dhe Kaldara, i cili pritet të rikthehet nga dëmtimi. Matia është një djalë i ri dhe me shumë të ardhme përpara. Ai do ta tregojë se sa i aftë është dhe ne po e presim krahëhapur rikthimin e tij”, përfundoi kapiteni kuqezi.