Alesio Romanjoli është padyshim një ndër liderët e Milanit, i cili po mahnit gjithnjë e më shumë nga ndeshja në ndeshje. Kapiteni, ka folur pas fitores ndaj Kievos, të cilën e ka konsideruar si fitore jetike, pasi ekipi nuk shfaqi një lojë të mirë.
Gjithashtu, mbrojtësi foli edhe për derbin ndaj Interit, që do të luhet javën e ardhshme, si dhe për dyshen e sulmit kuqezi, Piatek-Kutronte.
“Është një fitore jetike, që na lejon të vazhdojmë me rezultatet pozitive të kohëve të fundit. Nuk bëmë një lojë të mirë dhe tri pikët në një ndeshje si kjo, janë ato që kanë më shumë rëndësi. Ishim kompakt. Tani, na duhet të përgatitemi për derbin, që është një sfidë e vështirë. Duhet të japim gjithçka që kemi dhe të marrim një fitore përpara sprintit final që kemi në tre muajt e ardhshëm.
Goli i pësuar? Është zhgënjyese, sepse nuk është asnjëherë mirë të pësosh. Piatek? Është i fortë dhe po e tregon këtë gjë. Kutrone gjithashtu luan me shpirt kur futet në lojë. Na duhet t’i përgëzojmë dhe të shpresojmë që do të vazhdojnë kështu.”