Kanë përfunduar më shumë se gjysma e takimeve të ditës së sotme në Serinë A. Pas fitores së Napolit të Ançelotit në mesditë ndaj Torinos 1-3, ishte Lacio ajo që mori një fitore në “Olimpico” ndaj Xhenoas në shifrat 4-1. Bolonja fiton 2-0 ndaj Romës dhe i zhyt akoma më shumë në krizë kryeqytetasit. Ndërsa në sfidën tjetër Udineze mundi Kievon në transfertë 0-2.
Ajo që ra më shumë në sy ishte padyshim humbja e Romës. Për të besuarit e Di Françeskos vijon momenti i errët dhe kjo humbje besoj se i lëkund jashtë mase pozitat e teknikut italian. Ishte Matielo, i cili në minutën e 36-të zhbllokoi takimin dhe mbylli pjesën e parë në avantazh për vendasit. Në pjesën e dytë edhe pse kishim një dominim të Romës, ishte përsëri Bolonja, e cila në minutën e 59-të i dha një goditje akoma më të rëndë verdhekuqve, të cilët mbeten në kuotën e 5 pikëve pas 5 ndeshjeve të luajtura.
Krejtësisht e ndryshme paraqitet situata në anën tjetër të kryeqytetit ku Lacio dhe Tomas Strakosha kanë triumfuar ndaj Xhenoas 4-1. Një sfidë që u zgjidh që në pjesën e parë nga lacialët, të cilët shënuan më Kaisedon dhe Imobilen. Në pjesën e dytë Piatek provoi të rikthente Xhenoan në lojë, por ishte Milinkoviç-Savic dhe përsëri Imobile, të cilët mbyllën çdo gjë.
Ndërkohë Udinese ka triumfuar në transfertën e Kievos, pastër me shfirat 0-2. De Paul dhe Lazanja i dhuruan fitoren friulanëve, të cilët ngjiten në kuotën e 8 pikëve.
Bolonja – Roma 2-0
Shënues: Matielo 36’, Santander 59’
Kievo – Udinese 0-2
Shënues: De Paul 75’, Lazanja 90+1’
Lacio – Xhenoa 4-1
Shënues: Kaisedo 7’, Imobile 24’, 89’, Milinkoviç-Saviç 53’ / Piatek 47’