Në verën e 2009-ës, Arjen Roben u prezantua me fanellën e Bajern Mynihut. Asokohe, ishte 25-vjeç dhe vinte pas dy sezoneve jashtë pritshmërive te spanjollët e Real Madrid. Nëntë vite më vonë, holandezi ka fituar statusin e një legjende te bavarezët, por ndarja midis tij dhe kampionëve të Gjermanisë është vetëm pak muaj larg.
Ka qenë vetë 34-vjeçari, i cili i ka dhënë fund dilemave për të ardhmen e tij në një intervistë për “Omnisport”. “Ky është sezoni im i fundit te Bajerni. Kam kaluar 10 vite të mrekullueshme, por tani ka ardhur momenti”, tha futbollisti 34-vjeçar.
Me shumë gjasa, lamtumira e Roben nuk do të jetë e vetmja, “ceremoninë” e largimit mund të ketë vend edhe për kolegun e tij Frenk Riberi, kontrata e të cilit mbaron në fund të këtij sezoni. Në harkun e nëntë viteve, Roben, fitoi statusin e një legjende te bavarezët, ku deri më tani është aktivizuar në 305 ndeshje, ku ka shënuar 143 gola dhe shërbyer 101 asiste.