Drejtuesit e Mançester Junajtid po vazhdojnë punën për të përforcuar ekipin në merkaton e janarit. Siç citon “Marca”, klubi anglez është i interesuar për mbrojtësin francez të Atletiko Madrid, Lukas Hernandez dhe ka bërë ofertën e parë për të.
22-vjeçari i krahut të majtë u shpall Kampion Bote me Francën në Rusi, ndërsa vazhdon të dhurojë paraqitje pozitive me ekipin e Simeones. Hernandez ka një klauzolë prej 80 milionë eurosh në kontratën e tij. Junajtid ka bërë një ofertë “ofenduese” sipas gazetës spanjolle, ndërsa lojtari është një nga të preferuarit e Zhoze Murinjos për krahun e majtë të mbrojtjes.
Nga ana tjetër klubi anglez po mendon për rinovimet në ekip. Huan Matës i skadon kontrata në verë, por drejtuesit e klubit janë gati për t’i ofruar rinovimin mesfushorit 30-vjeçar siç citon “The Sun”.
Lojtari shënoi golin e parë në fitoren me përmbysje kundër Njukasëllit. Klubi nuk dëshiron ta humbasë lojtarin me parametra zero në verë, ndërsa është gati për të zgjatur marrëveshjen me futbollistin spanjoll.