Rikonstruksioni i stadiumit, Magani dhe merkato: Bizhdili zbulon planet

Sezonin që sapo u mbyll, Besa e Kavajës nuk mundi të arrinte synimin për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, por Presidenti i kësaj skuadre, Nexhat Bizhdili, nuk dorëzohet. Për SportEkspres.com ai ka folur gjerë e gjatë dhe për tema mjaft të rëndësishme, si për planet e merkatos dhe rikonstruksionin e stadiumit.

SITUATA NË SKUADËR – “Skuadra i mbylli të gjitha përgatitjet, njëherësh edhe gjithë sezonin. Nuk e arritëm synimin, ndoshta se Bylisi kishte më shumë vite që e kishte zënë radhën për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Me të gjithë lojtarët jemi në kontakt dhe për gjithçka do t’i njoftojmë të gjithë ata që mendojmë t’i kemi në dispozicion për sezonin tjetër”.

TRAJNERI – “Magani është rikonfirmuar dhe unë kam shumë besim se këtë sezon së bashku me të Besa do t’ia arrijë synimit për ngjitjen në Superiore. Së bashku jemi duke ndjekur lëvizjet e merkatos, edhe pse ende nuk ka nisur zyrtarisht. Do të shohim për lojtarë në kampionatin kosovar, por edhe këtu në Shqipëri”.

INFRASTRUKTURA – “Sezonin tjetër Besa nuk do të ketë infrastrukturën e sezonit që sapo mbyllëm. Kemi marrë modelin e rikonstruksionit të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe mbi atë projekt do bëhen restaurimet në stadiumin tonë. Të hënën bashkia do zhvillojë tenderin e punimeve, ku përfshihen shtrimi i tapetit të ri, rikonstruksioni i ambienteve dhe i gjithë tribunës, si dhe rikonstruksioni i shkallëve përkarshi”.

FORMULA E KAMPIONATIT – “Lëvizjet që po bën FSHF-ja për formulën e kampionatit të Kategorisë së Parë i mendoj shumë pozitive. Projekti i tyre e nxit shumë pozitivisht garën në këtë kategori, por edhe e normalizon situatën që krijohej në fazën e tretë. Ne si klub e mbështesim iniciativën e FSHF-së”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *