Renditja pas 25 javësh: Marshon Partizani, Tirana në vallen e mbijetesës

Janë mbyllur katër takimet e javës së 25-të në Superiore, ku rezultatet më surprizë kanë qenë humbja e Kukësit kundër Skënderbeut dhe fitorja e Kastriotit përballë Tiranës. Kampionati është futur në një fazë shumë të nxehtë dhe çdo pikë shihet si artë nga të gjitha skuadrat.

Partizani vazhdon marshimin në krye të kampionatit dhe ka marrë një tjetër fitore, kësaj radhe kundër një rivali si Teuta. Edhe pse parashikohej një ndeshje e vështirë për “Demat”, të besuarit e Gegës triumfuan pastër 3-0, duke thelluar distancën me Kukësin në +9 pikë. Të kuqtë janë në kuotën e 53 pikëve dhe afrohen edhe më shumë me titullin kampion.

Kukësi u mposht 1-0 nga Skënderbeu në Korçë, duke bërë një tjetër hap fals. Blutë e drejtuar nga Armando Cungu mbesin në kuotën e 44 pikëve, katër pikë më shumë se Teuta e vendit të tretë, që pas humbjes me Partizanin, qëndron në kuotën e 40 pikëve. Skënderbeut ngjitet në vendin e katërt, me 37 pikë, po aq sa ka dhe Laçi në vendin e pestë.

Mbijetesa ka marrë një tjetër kthesë të fortë, pasi tashmë janë tre skuadra që luftojnë për të mos rënë nga Kategoria. Tirana me 29 pikë, Luftëtari me 28 dhe Kastrioti me 24 do të jenë në garë me njëra-tjetrën deri në javët e fundit, për të vendosur se kush do të jetë skuadra që do t’i bashkohet Kamzës për t’u larguar nga superliga.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *