Kampionati ka nisur ashtu si pritej për Realin, triumfues 3-0 në La Korunja, me gola nga Geret Bejl, Kasemiro e Kros.
Mungonte Ronaldo, për të dytën ndeshje rresht i pezulluar (i mbeten edhe 3), por Zidan ka krijuar një “tank” që tashmë nuk ndalet më dhe nuk shqetësohet fare nëse i mungon ndonjë ingranazh. Deri para pak Ronaldo ishte fari ndriçues i Realit, tashmë fitorja më e madhe e Zidan është pikërisht lehtësia me të cilën Reali po përballon mungesën e yllit të vet.
Deri mbrëmë gjithçka po ecte në mënyrë perfekte, por mungonte në apel Geret Bejl: uellsiani u kthye fuqishëm, shënoi një gol dhe dha një asist, duke shtuar armët në dispozicion të kampionëve të Europës.
Kasemiro konfirmoi se është një lojtar kyç në mesfushën e Realit, me një tjetër ndeshje të mirë, kurorëzuar me një gol në pjesën e parë, ndërsa Toni Kros vulosi fitoren pas një ore lojë, me pasim final nga Bejl.
Një skuadër e madhe ka nevojë edhe për një portier të madh dhe Kejlor Navas tregoi se është në vendin e duhur, duke pritur një penallti në minutën e 89-të ndaj Andones. Njolla e vetme, karton i kuq për Sergio Ramos në shtesë, kur mori të verdhën e dytë të ndeshjes për një goditje me bërryl ndaj një kundërshtari në një duel ajror.