Milot Rashica ka pushtuar mediat gjermane me paraqitjet e tij. 22-vjeçari u transferua këtë sezon te Verder Bremeni dhe ka qenë një lider absolut për skuadrën e tij, sidomos në këtë vit 2019.
Këto dy muaj e pak kanë qenë ditët më të mira për sulmuesin shqiptar dhe këtë gjë e ka pranuar dhe vetë: “Jemi në një moment të mirë, gjërat po shkojnë mbarë. Ky është vetëm fillimi!”
Nga gazetari gjerman, Rashicës iu kujtua se ka bërë 5 gola në 8 ndeshjet e fundit, një rekord shumë i mirë, por “Dardani” e kundërshtoi menjëeherë, duke i thënë: “Gjashtë, jo pesë. Harruat golin me Dortmundin në Kupë”.
Rashica është kritikuar ndjeshëm gjatë muajve të tij të parë në Gjermani, por trajneri Kohefedt i ka besuar gjithmonë. Sot para mediave, tekniku gjerman tha: “Më pyesnin shumë pse Rashica nuk di të shënojë. Iu kam thënë që të jenë të duruar, golat do të vijnë. Dhe ja ku është, ky është Rashica të cilit i kam besuar. Të shpresojmë të vazhdojë kështu”,- u shpreh trajneri.
Rashica po shkëlqen në Bundesliga dhe vetëm 22-vjeç, ka ende shumë vite për t’u rritur dhe për t’u përmirsuar edhe më shumë. Forma e tij aktuale duket se është vetëm fillimi i një karrierë që mund të jetë fantastike në tokën gjermane, por pse jo, edhe në ndonjë skuadër elitare të Europës.