Roma nuk arriti të shfrytëzonte hapin fals të Milanit për t’iu afruar vendit të katërt. Verdhekuqtë barazuan 2-2 në shtëpi kundër Fiorentinës dhe diferenca me zonën Champions mbetet 5 pikë.
Ndeshja e radhës zhvillohet nesër në darkë. Djemtë e Ranierit do të udhëtojnë drejt Xhenovës për t’u ndeshur me Sampdorian vendase. Një sfidë e vështirë dhe Klaudio Ranieri ka respekt për kolegun Xhampaolo dhe mënyrën se si i bën të luajnë dhe luftojnë skuadrat.
Trajneri i Romës pret një konfirmim nga ekipi i tij, flet për talentin Zaniolo dhe e mbyll me sulmuesin Xheko.
MOMENTI – “E di që pika me Fioren nuk vlen shumë, por fizikisht jemi mirë dhe po përmirësohemi në aspektin psikologjik. Le të nisemi nga pjesa e dytë e ndeshjes së fundit. Kemi fituar besim dhe nesër dua ta konfirmoj këtë fakt. E vlerësoj shumë Xhampaolon. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kthjellët kundër Sampdorias, pasi skuadrat e tij të mbysin me presing.”
ZANIOLO – “Ai e ka përsëritur shumë herë që dëshiron të qëndrojë këtu. Ka një kontratë deri në vitin 2023, ai nuk dëshiron të largohet dhe Roma nuk ka ndërmend ta shesë. Xheko? Mua më pëlqen mënyra se si luan Edini. Të gjithë sulmuesve u qëllon një periudhë ku nuk arrijnë të shënojnë shumë gola. Në portë do të luajë Mirante, edhe pse kam konsideratë për Olsen. De Rosi donte të luante me Fiorentinën, ndërsa nesër mund të na japë një dorë të madhe.”