Serxho Ramos këto ditë përflitet mbi një largim nga Reali Madridi. Sipas mediave angleze, Mançester Junajtid dhe Liverpul kanë shfaqur interes për spanjollin. Jyrgen Klop nuk i lë mediat të aludojnë shumë, por përgjigjet prerë se kapiteni madrilen nuk ka asnjë shanc për të luajtur në “Anfield”.
Gjatë finales së vitit të shkuar mes “The Reds” dhe “Los Blancos”, në një duel mes Ramos dhe Salah, ky i fundit përfundoi me një frakturë në shpatull, që e detyroi të lërë ndeshjen. Liverpul “humbi” busullën dhe finalen. Ky fragment zemëroi shumë tifozët dhe stafin e Liverpulit. Që atëherë madrileni është shpallur person “non-grata” në “Merseyside”.
Megjithatë Klop pretendon se vendimi i tij për të mos e diskutuar blerjen e Ramos nuk ka lidhje me incidentin e finales së vjetshme.
“Ka 0.0% shance që Serxho Ramos të luajë për Liverpulin. Nuk ka asnjë lidhje me atë çka ndoshi në Kiev sezonin e shkuar. Edhe sikur ne ta kishim fituar Championsin dhe Ramos të kishte shtrënguar duart me të gjithë lojtarët tanë, ne nuk do të interesoheshim për të. Ai thjesht nuk është profili i lojtarit, që unë kërkoj”, u shpreh Klop.