Valdet Rama është optimist para ndeshjes me Partizanin. “Jemi përgatitur mirë, kemi punuar dhe kemi harmoni në ekip. Të gjithë duam të futemi në fushë dhe po e presim. Duam ta fitojmë këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht sulmuesi anësor para mediave.
Ai komentoi edhe ndryshimin e trajnerit, pasi sikurse dihet Armando Cungu u pasua nga Ramadan Ndreu: “Nuk i marrim ne si lojtarë vendimet, vendos klubi. Ne japim maksimumin. Siç e thashë, jemi përgatitur dhe kemi punuar mirë. Jemi gati për ndeshjen”.
Kjo periudhë i ka shërbyer Ramës të përmirësohet fizikisht edhe tani është gati të luajë nga fillimi: “Nuk kam qenë fizikisht ku duhet të isha kur erdha në fillim. Kisha disa muaj pa luajtur. I kam treguar cilësitë e mia në ofensivë dhe ndihem mirë. Jam gati të luaj”.
“Ndryshimi i futbollit jashtë me vendin tonë? Normal janë liga më të forta ato ku unë kam luajtur, sidomos taktikisht. Këtu luhet fizikisht fort, ka lojtarë të fortë dhe të shpejtë. Në Spanjë dhe Gjermani janë më lart. Këtu ka shumë talente, kam përshtypje të mira deri më tani”, shton Rama, që më pas pyetet edhe me cilin nga lojtarët e sulmit ndihet më mirë. “Më të gjithë që kemi luajtur jam ndjerë mirë. Kemi kualitete përpara, të gjithë janë shumë të mirë. E ndjej veten mirë me te gjithë”, deklaron sulmuesi anësor.
NDESHJA DHE DEKLARATA E MUSOLLIT – “Nesër kemi një ndeshje të veçantë, janë të parë. Kemi dëshirë të fitojmë. Do japim maksimumin. Shpresoj të bëjmë atë që kemi bërë në stërvitje, ato që kërkon edhe profesori nga ne. Lojtarët i kemi të mirë dhe të gjithë kemi dëshirë të luajmë për fitore”, thotë Rama.
Një ditë më parë Besar Musolli deklaroi se nëse Partizani i mund, atëherë titulli është çështje e mbyllur. Rama mendon ndryshe: “Nuk mendoj kështu, janë edhe 10 ndeshje. Normalisht 12 pikë janë shumë dhe është e vështirë. Në futboll nuk dihet çfarë ndodh”.