Ofendimet raciste kundër Kalidu Kulibali nga ana e tifozëve të Interit ka sjellë kritika të mëdha në futbollin italian. Këtij kori i është bashkuar dhe Mino Rajola, një nga menaxherët më të suksesshëm të botës së futbollit.
Ai zotëron të drejtat e shumë lojtarëve, ndërsa mes tyre dhe shumë lojtarë me ngjyrë si: Pogba, Lukaku dhe Moize Kin. Në një prononcim për “ANSA”, Rajola sulmon ashpër këto episode duke i quajtur si kancerin e shoqërisë.
Menaxheri bën thirrje për një luftë të fortë kundër racizmit, ndërsa e ardhmja e Serie A dhe futbollit italian pritet të mbulohet nga re të zeza, nëse situata nuk ndryshon për mirë.
“Racizëm do të thotë injorancë sipas përkufizimit të saktë. Është e vështirë të flasësh me injorantët, por duhet t’i luftojmë gjithmonë ata dhe të jemi të bashkuar. Duke thënë këtë, ku është qeveria: ajo e vërteta dhe ajo e futbollit? Ku janë uniteti dhe solidariteti midis klubeve dhe lojtarëve? Ky është një problem për të gjithë pronarët e klubeve dhe vetë lojtarët. Nëse Italia dështon në luftën kundër këtij kanceri, nuk do të ketë të ardhme në futboll. Futbolli është pasqyra e shoqërisë. Nevojiten objektiva të qarta, trimëri, ide dhe këllqe për ta luftuar këtë gjë”, përfundon Mino Rajola.