Tirana mori një triumf jetik një ditë më parë në transfertën e vështirë të Laçit, ku arriti të fitojë me shifrat 1-3. Ndeshja ishte spektakolare dhe me shumë raste, por në sy më së shumti ra goli i tretë i bardhebluve, një perlë e vërtetë e Edon Hasanit.
Pikërisht lidhur me këtë gol, ka reaguar edhe Majkëll Ngo. Gjiganti i sulmit ka postuar në llogarinë e tij në Instagram golin, ku bashkangjitur postimit ka vendosur dhe një shkrim. “Meqë ra fjala, i thash Edonit të gjuante, sepse nuk mund të bashkohesha në atë sulm. Vrapova si një qen i tërbuar sot (dje)”.
Vlen për t’u përmendur që pavarësisht triumfit të djeshëm, Tirana ende nuk e ka siguruar qëndrimin mes më të mirëve, teksa në ndeshjen e fundit pret Flamurtarin, ndërsa Kastrioti luan ndaj Kukësit.