Skuadra e Laçit ka pësuar një rënie të formës në javët e fundit dhe tashmë drejtimin e kurbinasve e ka marrë trajneri Sulejman Starova. E menjëherë për “Bobin”, ka lajme të mira. Sulmuesi kroat, Ivan Galiç ka lënë pas dëmtimin afatgjatë dhe është rikthyer të stërvitet.
Ky i fundit u dëmtua në sfidën kundër Naftëtarit, e vlefshme për Kupë, në muajin shtator dhe që nga ajo kohë, ka qenë një mungesë e rëndësishme për Laçin. Megjithatë, tashmë është rikthyer të jetë i gatshëm për trajnerin Starova dhe skuadrën kurbinase.
Me anë të një postimi në Instagramin e tij zyrtar, 24-vjeçari konfimroi gjithçka, duke shkruar: “Pas 6 muajve (25 javë, 181 ditë) punë të fortë, djersë dhe lot, mora përgjigjen pozitive më në fund: Jam i gatshëm 100% të stërvitem me ekipin. Një ndjenjë e papërshkrueshme, jam shumë i lumtur. Gati për sfida të reja!”