Barcelona hoqi dorë nga Adrien Rabiot për shkak të insistimit të lojtarit për të përfshirë një klauzolë që i lejon atij që të mos aktivizohet kurrë në rolin e mesfushorit përpara mbrojtjes. Katalanasit kanë arritur akordin me De Jong të Ajaksit, duke derdhur 75 milionë euro në arkat e klubit holandez.
Po Rabiot? Kontrata e tij me PSG përfundon në fund të sezonit, ndërsa në garë është futur Bajerni i Mynihut. Bavarezët janë gati të marrin 23-vjeçarin që tani në janar, sigurisht duke paguar diçka te PSG.
Diçka e tillë i intereson dhe kampionëve të Francës, të cilët nuk dëshirojnë ta humbasin lojtarin me parametra zero në verë dhe kërkojnë 30 milionë euro. Një shumë e tillë cilësohet e lartë nga Bajerni, megjithatë Hasan Salihamixhiç, drejtori sportiv i klubit gjerman, ka zbuluar për “Bild” interesimin për mesfushorin.
“Ju e dini se si është merkato. Ne duhet t’i mbajmë sytë dhe veshët hapur. Rabiot? Ai është një lojtar interesant”, thekson boshnjaku i Bajernit. Nga ana tjetër, Frenk Riberi ka pësuar një dëmtim në kofshë. Bajerni vazhdon përgatitjet në Katar, ndërsa francezi do të qëndrojë pushim dy javë dhe do të mungojë në ndeshjen e 18 janarit kundër Hofenhajmit.