Një sherr midis Robert Levandovskit dhe Kingsli Koman u bë ngjarja më e përfolur nga mediet sportive në Gjermani. Incidenti ndodhi stërvitjen e ditës së djeshme dhe falë faktit që seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, sherri nuk u filmua.
Trajneri Kovaç njoftoi ditën e sotme se gjithçka është sheshuar, ndërsa nuk dha detaje mbi arsyet e nisjes së debatit që degjeneroi në grushte midis dy sulmuesve.
Ditën e sotme revista franceze “L’Equipe” ka zbuluar se si filloi përplasje e futbollistëve. Marrëdhënia midis Levandovskit dhe Koman kishte qenë e tensionuar prej disa javësh për shkak se polaku nuk shërbehej shumë nga francezi, i cili preferonte shpesh të driblonte e të godiste portën në vend që t’i pasonte pykës së bavarezëve.
Inati i mbledhur prej disa javësh kulminoi ditën e djeshme, teksa Levandovski filloi ta kritikonte hapur në stërvitje. Koman iu kthye dhe pas ngritjeve të zërit pasuan grushtet.