Kukësi vazhdon të ketë probleme të shumta me dëmtimet. Emri më i fundit që i shtohet listës së të dëmtuarve është kapiteni Ylli Shameti, i cili nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Armando Cungu për ndeshjen e sotme në Kryeqytet ndaj Tiranës.
Kapiteni i verilindorëve ka “shtrënguar dhëmbët” në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, ku ka luajtur i dëmtuar, por për takimin e sotëm stafi mjekësor nuk i ka dhënë gjirokastritit “dritën jeshile”. Në mungesë të Shametit te Kukësi i duhet të hedhin një sy nga stoli.
Me shumë gjasa Cungu do t’i besojë një vend titullari lojtarit të ardhur nga Laçi, Harallamb Qaqi, i cili në këtë sezon të Superiores është aktivuar në tri takime, ku në vetëm një prej tyre e ka nisur që nga minuta e parë.