Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj nuk ishte aspak i kënaqur me atë që skuadra e tij dhuroi në fushën e lojës, por pranoi se mungesat dhe terreni ishin dy faktorë që ndikuan negativisht në lojën e Skënderbeut. Për “Supersport”, Takaj u shpreh:
Ndeshja – “Loja nuk diskutohet që do të ishte e vështirë, sepse terreni nuk ta lejon të bësh futbollin që do. Ishte terreni më i vështirë që kemi pasur në gjithë këto vite, megjithatë, ky nuk është justifikim. Humbëm një ndeshje, siç kemi fituar dy të tjerat përballë tyre.
Rezultatet – “Rezultatet negative nuk po ndalen. Nuk e di çfarë duhet bërë tani. Duhet vepruar ndryshe që të marrim rezultate pozitive.
Ndërhyrje në merkato – “Jo në merkato. Ka lojtarë në skuadër, por mungesa e dokumenteve të dy lojtarëve të rinj që kanë ardhur e bën të pamundur aktivizimin e tyre për trajnerin Shehi. Të pajisen këto ditë me pasaporta dhe besoj se trajneri do të ketë alternativa më shumë.
Mungesat në ekip – “Normale, janë shumë mungesa. Ky është një ekip si ai i vjetshmi. Janë lojtarë të rinj. Nuk është fundi i ciklit Skënderbeu. Nuk mund të jetë një Skënderbe gjithmonë në krye.
Futbolli është i bukur sepse ka rezultate, ka garë dhe bëhet monotone në qoftë se një ekip del gjithmonë kampion. Megjithatë gara do të vazhdojë. Kampionati do jetë i fortë. Nuk është se filloi dhe mbaroi te kjo ndeshje”,- u shpreh Takaj.