Në sezonin që sapo u mbyll, skuadra e Veleçikut i luajti të gjitha ndeshjet në “Reshit Rusi” në Shkodër. Kjo për shkak se stadiumi e tyre nuk i plotësonte kushtet e licencimit. Edhe këtë sezon, grupi i kontrollit në FSHF e ka veçuar jo të rregullt fushën sportive në Koplik dhe ka lënë detyra për përmirësim.
Duke qenë njëherësh edhe President i Veleçikut, Kryetari i Bashkisë në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj deklaroi për SportEkspres.com se në fazën e dytë të kampionatit të ri, në Koplik përfundon ndërtimi i një impianti të ri.
“Së pari më takon ta uroj edhe zyrtarisht skuadrën që arriti mbijetesën në Kategorinë e Parë. Javën e kaluar ne u njohëm me vendimin e FSHF-së sa i përket terrenit të fushës në stadiumin tonë. Nuk kemi qëndruar indiferentë, sepse kemi marrë pronësinë e një trualli të ri për të ndërtuar një impiant modern që ti shërbejë jo vetëm skuadrës së parë, por gjithë brezave në bashkinë tonë”.
“Në fazën e dytë të kampionatit të ri ne e mbyllim projektin e ndërtimit të impiantit, sepse qytetarët tanë janë shumë të interesuar që ta kemi këtë stadium. Gjatë kësaj periudhe skuadra do të organizohet më fuqishëm për sezonin e ri, ku stafi teknik ka menduar edhe merkato. Ne si Bashki do ta mbështesim skuadrën për më shumë sukses”.
AGRON KAJA