Barcelona fitoi konkurrencën me PSG dhe Mançester Sitin dhe Frenki De Jong do të transferohet në fund të sezonit në La Liga. 75 milionë euro (me bonuse shkojnë në 86 milionë) për Ajaksin dhe një kontratë 5-vjeçare me një rrogë rreth 8 milionë euro për mesfushorin.
Holandezi nguroi për të zgjedhur ekipin e ardhshëm, bisedoi me të tre klubet dhe në fund zgjodhi të luajë me… ekipin e Leo Mesit. Spanjollja “AS” zbulon një detaj interesant që ndikoi në zgjedhjen e De Jong.
Drejtuesit e Barçës i kanë treguar yllit të Ajaksit disa mesazhe në “WhatsApp” që u kishte dërguar Nejmar. Braziliani nuk ndihet mirë në kryeqytetin francez dhe dëshiron të rikthehet në Katalunjë.
Në mesazhe Nejmar ankohet për nivelin e kampionatit francez dhe shpreh dëshirën e tij për t’u rikthyer te Barcelona. Sulmuesi vazhdon me ankesat; moti në Francë e acaron dhe pranon se ka gabuar që u largua nga Spanja. Ai i lutet drejtuesve ta blejnë përsëri dhe diçka e tillë e ka bindur De Jong të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij dhe të zgjedhë Barcelonën.