Të skuadra e Pogradecit ende janë në “inatin” e sezonit të kaluar, pasi nuk mundën të realizojnë synimin për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Një vend në zonën Play-out në Grupin B ishte renditja që Pogradeci nuk e kishte menduar, ndaj për sezonin e ri drejtuesit do mendohen mirë në përzgjedhjen e lojtarëve. Trajneri Festim Fetollari tregon për SportEkspres.com se ku duhet të përqëndrohet në merkato.
“Këtë sezon do të bëjmë afrime cilësore, sepse ka ardhur koha që synimin për ngjitje në Kategorinë Superiore të mos e kemi vetëm si refren vit pas viti. Prandaj puna jonë për sezonin e ri ka nisur më shpejt. Nuk duam që t’ia lëmë asgjë rastësisë, sepse pritet një garë e fortë. Nëse ndërtojmë grupin e duhur, mund t’ia dalim”, theksoi fillimisht trajneri i Pogradecit.
Fetollari deklaron se dy pikat më delikate ku duhen përforcime cilësore janë porta dhe mesfusha. “Këto ditë ne kemi kthyer në Pogradec sulmuesin Albi Çekiçi nga Besa, si dhe mesfushorin Ildian Shyti nga Bylisi. Në këto ditë kemi gati marrëveshjet me dy futbollistë të tjerë, një portier dhe një mesfushor. Me të dy këto përforcime grupi do jetë më i kompletuar, duke patur parasysh se pjesa tjetër e skuadrës është e rikonfirmuar”, përfundoi Fetollari.
AGRON KAJA