Bajerni i Mynihut arriti një fitore të madhe kundër Dortmundit në kampionat dhe u rikthye në vendin e parë. Ekipi bavarez shpartalloi 5-0 rivalët për titull dhe tashmë kryeson me një pikë më shumë se verdhezinjtë, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të sezonit.
Momenti i mirë i djemve të Kovaç dhe qetësia janë prishur gjatë stërvitjes së paradites, që u krye me dyer të mbyllura. Protagonistët negativë kanë qenë Robert Levandovski dhe Kingsli Koman.
Siç raporton gjermania “Bild”, të dy lojtarët janë bërë pjesë e një sherri të dhunshëm. 30-vjeçari polak ka kritikuar francezin dhe fjalët kanë vërshuar lumë kundrejt njëri-tjetrit.
Dy futbollistët nuk kanë kursyer edhe grushtet mes tyre. Mbrojtësit Shyle dhe Boateng kanë nxituar për të ndarë dyshen e “egërsuar”. Sherri ka marrë fund vetëm me ndërhyrjen e gjithë ekipit. Diçka e tillë është e pazakontë për një klub si Bajerni dhe dyshja vështirë që t’i shpëtojë inatit të drejtuesve bavarezë.