Julen Lopetegui i ka kërkuar presidentit Perez të bëjë një sforco në merkaton e janarit për të përforcuar repartin ofensiv. Trajneri i Realit të Madridit kërkon një qendërsulmues, i cili do të jetë në gjendje të zëvendësojë Karim Benzema dhe objektivi i tij luan me Milanin.
Patrik Kutrone është i preferuari i Lopeteguit siç citon spanjollja “Don Balon”, dhe Reali do të tentojë të nisë tratativat në janar me Milanin dhe lojtarin. Diçka e tillë do të jetë e vështirë dhe pothuajse e pamundur, sepse Gatuzo as që ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e sulmuesit.
20-vjeçari është e ardhmja e klubit dhe vështirë se Milani do të pranojë të nisë tratativat me Realin, por Lopetegui e preferon Kutronen që kur ishte pjesë e Portos dhe Florentino Perez do të bëjë maksimumin për të kënaqur kreun e stolit.
Nga ana tjetër, Milani po shfrytëzon periudhën e pushimit si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve dhe po punon për të harmonizuar skuadrën dhe afrimet e reja. Pesë janë emrat ku do të bazohet puna e Gatuzos: Kastihejo, Bakajoko, Konti, Laksalt dhe Kaldara. Spanjolli dha impresione të mira në ndeshjen me Romën dhe shihet si një lojtar, i cili mund t’i japë shumë Milanit në repartin ofensiv.
Bakajoko po punon fort për t’u përshtatur me skemën me tre mesfushorë, ndërsa Konti është në fazën e fundit të rikuperimit dhe rikthimi i tij është afër. Kaldara është një mbrojtës i fortë dhe me kualitet, por siç e pohoi dhe trajneri para sfidës me Romën, atij i duhet të përshtatet me metodat e reja, sepse vjen nga një stil tjetër mënyrë të luajturi. Laksalt është një tip xholi, i cili bën mirë disa pozicione dhe Gatuzo po punon për t’i gjetur rolin e duhur në skuadër.