Mark Kardona, njeriu i rekordeve: njihuni me “debutuesin” e famshëm të… Barcelonës

0

Të gjithë “vuajnë” dhe hasin vështirësi, kur luajnë në një kampionat të ri, kategori ndryshe, ose një kompeticion të pa provuar më parë, por Mark Kardona nuk përfshihet kurrë nga emocionet e debutimit. Një start ëndrrash për futbollistin e Eibarit, i cili gjeti golin në ndeshjen e tij të parë në La Liga. Eibar fitoi me rezultatin 2-1 përballë Sociedadit të premten, ndërkohë që sulmuesi i huazuar nga Barcelona gjeti golin e barazimit të përkohshëm, duke thyer një tjetër rekord.

23-vjeçari ka shënuar gol gjatë debutimit të tij në të gjitha kategoritë spanjolle duke filluar nga: Tercera Division (kategoria e katërt), Segunda B (kategoria e tretë), Segunda Division (kategoria e dytë) dhe La Liga.

Kardona debutoi me ekipin e Atletiko Sanlukuenos në sezonin 2015-2016 dhe iu deshën vetëm 49 minuta për të shënuar golin e parë në ndeshjen e tij të parë në kategorinë e katërt. Ai e mbylli sezonin me 20 gola të shënuar dhe ndihmoi ekipin e tij të kalonte një kategori më lart. Gjatë verës ai u ble nga Barcelona, që e kaloi në ekipin B.

Me datë 20 gusht të vitit 2016, Kardona debutoi në kategorinë e tretë me ekipin e Barcelonës B dhe shënoi në ndeshjen e parë përballë Atletiko Saguntinos, që u mbyll me rezultatin 3-1. Sulmuesit iu deshën vetëm 12 minuta për të shënuar golin e parë, ndërsa ndeshjen e mbylli me një tripletë. Kardona shënoi 17 gola deri në fund të sezonit dhe ndihmoi ekipin të ngjitej në kategorinë e dytë.

Në Segunda Division, ai debutoi me datë 19 gusht të vitit të kaluar në ndeshjen Vajadolid-Barcelona B që përfundoi me rezultatin 1-2. Kardona nuk e harroi vesin e tij dhe i mjaftuan vetëm 37 minuta për të gjetur golin e parë në kategorinë e dytë. Sezonin e mbylli me 7 gola të shënuar dhe Eibari e afroi në ekip, pasi arriti marrëveshjen me Barcelonën për huazimin e tij.

Për të ardhur te 31 gushti i këtij viti, kur 23-vjeçari debutoi në derbin përballë Sociedadit. Vetëm 26 minuta, por të mjaftueshme për një debutues si ai. Kardona gjeti rrjetën e parë në ndeshjen e parë në La Liga duke ndihmuar ekipin të marrë tre pikë të rëndësishme.

Mark Kardona po shijon momentin e artë dhe është gati për të zhvilluar një sezon të mirë në elitën e futbollit spanjoll, me Barcelonën që po sheh lojtarin e saj të rritet nga viti në vit me paraqitje të mira dhe gola që në start, sepse dita e mirë duket që në mëngjes dhe ai as që ka ndërmend të ndalet.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.