Kapiteni i Kamzës Sebino Plaku, foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, ku diskutoi mbi gjendjen e skuadrës, vendimin për bojkot dhe pagesat. Ndër të tjera sulmuesi kryeqytetas reflektoi dhe mbi gabimet që u bënë në fillim të sezonit.
BOJKOTI DHE PAGESAT – “Normalisht nuk është e thjeshtë që të flitet për këtë situatë. Ishte një mendim i miksuar. Një pjesë e ekipit nuk po ndihej gati emocionalisht, ndërsa një pjesë tjetër ishte të dëmtuar si rasti im”. Të them të drejtën klubi reagoi dhe kjo na motivoi. Jemi futbollistë profesionistë dhe çdo lojtar meriton atë që ka firmosur. Për fat e kaluam dhe kjo ishte një shtysë. Mbas kthimit ishim më të motivuar”
“Unë jam kundër bojkotit, por jam kapiteni i skuadrës dhe si i tillë duhet të jem dhe zëri i grupit. Tani ne kemi vendosur që këtë punë që kemi nisur dhe s’do ta lëmë në gjysmë, do ta çojmë deri fund”.
RIVALËT PËR MBIJETESË – “Nuk kemi bërë llogaritë se çfarë kemi më mirë dhe më dobët se kundërshtarët. Kemi një vit eksperiencë në Superiore e dimë se si funksionin dhe kjo është pjesa që na jep besim. Kemi kontigjent cilësor dhe lojtarë me eksperiencë”.
ÇFARË SHKOI KEQ TE KAMZA – “Mendoj se situata agravoi në këtë mënyrë. Ishte nisur një plan sëbashku me bashkinë. Kur kam kolegët e pamotivuar edhe unë e kam të vështirë që të motivohem. Ndërsa pjesa tjetër ishte dhe vendimi për të shkarkuar Devollin. Mendoj se ishte një vendim i nxituar, pasi ishte vetëm fillimi i kampionatit”, përfundoi Plaku.