Frenki de Jong i ka justifikuar që tani 86 milionë eurot e shpenzuara nga Barcelona për të. Ai është një nga ingranazhet më të rëndësishme të këtij Ajaksi, që po mrekullon botën. Andrea Pirlo është një nga ata që i ka kuptuar shumë më parë cilësitë e mesfushorit holandez.
Ish-ylli i Juves, aktualisht opinionist në “Sky Sport” zbuloi një prapaskenë, që lidh De Jong me bardhezinjtë. Pirlo u shpreh se e kishte këshilluar Paratiçin dhe Nedved, për ta ndjekur të riun. Ata e kishin dëgjuar fjalën e tij, por pa rezultat.
“De Jong është një lojtar i madh. Juventusi e ndoqi atë, pasi pata biseduar me ta për cilësitë e tij. Shumë mirë që Barça arriti ta marrë”, u shpreh ish-mesfushori para ndeshjes së mbrëmshme.
Ndërkohë jo vetëm Pirlo kishte besim te De Jongu dhe shokët e tij, por edhe Zhoze Murinjo. Portugezi tregon se ka veti shumë të mira parashikuese. Para ndeshjes ”Special one” pati dhënë sinjalin e një triumfi holandez në Torino.
“Askush te Ajaksi nuk mendonte se kishin sadopak mundësi për të fituar, por tani e kanë. Është e komplikuar kundër Juventusit, por ata mund ta bëjnë këtë”, shprehet portugezi.
Murinjo më parë pati parashikuar edhe fitoren e Juventusit ndaj Atletikos. “Nëse më duhet të zgjedh, them Atletiko Madrid, por nuk do të isha i befasuar nëse Juventusi përmbys gjithçka.”