Zherard Pike, bashkë me Mesin kanë dalë në konferencën për shtyp përpara finales së Kupës së Mbretit ndaj Valencias. Pyetjet e gazetarëve më shumë se te ndeshja e nesërme kanë qenë të fikusuara te disfata e Liverpulit. Mbrojtësi është shprehur se Barcelona dëshiron të dominojë lojën, por kjo nuk bëhet gjithmonë. Ai deklaron se “The Reds” u treguan dominues dhe nuk e lanë skuadrën blaugrana të dalë në lojën e saj. Këtë ndeshje e cilëson si përvojën më të vështirë në karrierë.
“Ajo disfatë është një nga përvojat më të këqija që kam pasur si futbollist. Ne përpiqemi të luajmë me stilin e Barçës. Ndonjëherë është e lehtë, e nganjëherë e vështirë. Nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga loja e kundërshtarit që ke përballë.”
”Ka raste, si në ‘Anfield’, kur nuk mund ta kesh topin dhe detyrohesh të luash ndryshe. Lojtarët, që mund të kesh në dispozicion janë të ndryshëm. Dëshira jonë është të bëjmë gjithmonë lojën tonë, ndaj Liverpulit nuk arritëm dhe prandaj humbëm”, përfundoi zëvendës kapiteni i Barcelonës.