Kristof Piatek është kthyer në një nga lojtarët më të dëshiruar në merkato. Sulmuesi i Xhenoas ka arritur të shënojë tetë gola në gjashtë ndeshje, teksa mesatarisht regjistron një gol në 50 minuta. Për ish-sulmuesin e Krakovias tashmë çmimi është rritur ndjeshëm. Italianët për ta kanë paguar vetëm 4 milionë euro.
Momentalisht për të interesohet Interi, por problem është fakti se zikaltrit kanë lojtarë si Ikardi e Martinez. Gjithashtu edhe alternativa të tjera, mes tyre edhe Keita Balde. Por nëse në fund të sezonit do ketë ndonjë lëvizje në dalje, Piatek do ishte një blerje e zgjuar.
Juventusi nga na tjetër ka Manxhukiç për majën e sulmit dhe mbetet të shihet mirë se si do të zhvillohet Moise Kin. Ndoshta blerja e Piatek dhe lënia në huazim te Xhenoa do të ishte strategjia e duhur për të shkuar te sulmuesi polak.
Gjithsesi Roma është klubi që mendon seriozisht për sulmuesin 23-vjeçar. Ai shihet si zëvendësuesi ideal i Edin Xhekos, i cili në mars mbush 33 vjeç. Gjithashtu Patrik Shik nuk është ai i Sampdorias për momentin dhe te Roma po mendojnë t’i japin një rol kryesor Piatek.
Xhenoa ndërkohë nuk ka ndërmend ta shesë në janar, pasi presidenti Preciozi e di shumë mirë se në verë çmimi për të do jetë edhe më i lartë. Pak ditë më parë ai u shpreh: “Vetëm ta mendosh shitjen e Piatek është një çmenduri. Unë jam shumë i lumtur me të. E dinim që kishte cilësi të mëdha, është një talent i lindur, por nuk do të tregoja të vërtetën, nëse do të thoja që ‘E dija se do të shënonte kaq gola’. Megjithatë, mund të them që ne nuk nënshkruam direkt kontratë me të. E kam parë të luajë dhe ai është një sulmues, i cili shënoi 21 gola në kampionatin polak në sezonin e kaluar, në të gjitha llojet e mënyrave”.
Nga ana tjetër klubet italiane duhet të nxitojnë për ta blerë Piatek, pasi edhe klube si Bajerni i Mynihut dhe Barcelona janë të interesuar për të. Për polakun pritet të bëhet një ankand, por në fund është Xhenoa klubi që vendos.