Albi Doka ka qenë personazhi i javës në kampin bardheblu, pasi arriti t’i shënojë Kukësit dhe t’i japë tre pikët skuadrës së tij. Normalisht kjo ka bërë që edhe mbrojtësi i djathtë të vihej në qendër të vëmendjes. I ftuar në emisionin “Pressing” të gazetarit Gerti Çarçani në ABC News, Doka u shpreh se e kishin menduar fitoren. Ndër të tjera ai u ngacmua edhe për një fërkim me ish-trajnerin Ze Maria, i cili e la të riun në tribunë në një ndeshje.
“Nuk është se ka qenë ndonjë gjë e madhe, thjesht për stërvitjen… Ishim grupe çunash që nuk ishim shumë, le të themi u prish grupi dhe ndikoi te skuadra. Pranova vendimin e trajnerit. Me ardhjen e profesor Ardian Memës sikur ka ardhur një frymë e re dhe jemi bërë të gjithë së bashku. Rezultatet po e tregojnë vetë”, tha mes të tjerash mbrojtësi.
DERBI – Prej pesë vitesh Tirana nuk arrin ta mundë Partizanin në derbi dhe normalisht kjo nuk përjetohet mirë në kampin bardheblu. Në derbin e dytë këtë sezon, skuadra e Ardian Memës shënoi e para me Grent Halilin. Gjithsesi gabimet në prapavijë sollën humbjen e Tiranës.
Në lidhje me derbin e fundit, Doka u shpreh: “Kemi gjithë këto vite që nuk fitojmë. Është ndjesi e veçantë kur e bën diçka të tillë. Kur shënuam në derbin e fundit, edhe unë vetë ë isha në fushë thashë që e fituam”.
“Tifozët? Nëse humb një derbi, nuk del sot në rrugë. Nuk i sheh dot tifozët”, u shpreh mbrojtësi i djathtë, i cili duhet i sigurt që ndeshjen e radhës me Partizanin do e fitojë Tirana. Madje Doka nuk ngurron edhe të ngacmojë moderatoren e emisionit, Joana Grabollin. “Jam shumë i sigurt që këtë herë do të fitojmë. Joana do qajë pas derbit (qesh)”, tha futbollisti i Tiranës.
KAMPIONATI DHE E ARDHMJA – Doka u pyet edhe në lidhje me skuadrat më të vështirë të këtij sezoni. “Skuadra për t’u mundur? Normalisht që vendi i parë dhe vendi i dytë, Partizani dhe Kukësi”, u shpreh mbrojtësi.
“Sezoni i fundit në Shqipëri? Çdo lojtar do të luajë jashtë, por unë jam nën kontratë me Tiranën. Klubi e di të ardhmen time. Nëse luan në Superiore, nuk e kap dot kombëtaren. Për shembull Uzuni ishte me Laçin dhe nuk e grumbullonte kombëtarja. Sapo shkoi në Kroaci u grumbullua direkt”, përfundoi Doka.