Aventura e Arjen Roben më Bajernin e Mynihut duket se është mbyllur në një mënyrë jo ideale. Ai ka njoftuar me kohë largimin në fund të sezonit, por pritej të luante një ndeshje të fundit. Gjithsesi, holandezi po vuan një demtim, që nuk po shkon ashtu siç pritej dhe ka prishur planet e tij.
Me shumë mundësi Roben nuk do të arrijë të luajë ndeshjen përmbyllëse me bavarezët dhe e tillë do të quhet përballja e fituar ndaj Benfikës në Champions në nëntorin e kaluar, ku shënoi një dygolësh.
Këtë e pohoi edhe vetë 35-vjeçari për “Sky Sports”: “Ndjej disa shqetësime dhe nuk jam i sigurt nëse mund të luaj sërish për Bajernin këtë sezon”, tha Roben. Ai largohet nga klubi gjerman pas plot 10 vitesh ku ka fituar gjithçka. Arritja më e madhe ishte tripleta e vitit 2013, nën drejtimin e Jup Hainkes.
Shumë kampionate e kupa në Gjermani dhe plot dashuri nga tifozeria bavareze: Me këtë palmares e mbyll holandezi historinë e tij tek klubi më i titulluar në Gjermani.