Juventusi është ende në kërkim të pasuesit të Maks Alegrit. Bardhezinjtë duan një trajner që të bëjë histori në Europë dhe emrat e lakuar gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë. Jo vetëm kaq, por u arrit deri në atë pikë sa u konsiderua e mbyllur marrëveshja me Pep Guardiolën dhe u zbuluan edhe detajet e kontratës faraonike. Vetëm fjalë, spanjolli është nën kontratë dhe te Mançester Siti as që kanë ndërmend ta lënë të lirë.
Mauricio Poçetino prej kohësh mbetet në listën e favoritëve, por situata e tij te Totenhemi nuk dihet. Ka arritur deri në finalen e Champions League që pritet ta luajë kundër Liverpulit dhe në klubin londinez zor që të mendojnë për një emër të ri për pankinën. Juventusi, për ta marrë Poçetinon duhet të paguajë. Klauzolën e di.
Gjithsesi Juventusi duket se po bind një tjetër Mauricio, po në Londër. Sarri është ai që ka fituar goxha pikë së fundmi dhe mund të jetë trajneri i ri i Juventusit. Situata e tij te Çelsi nuk është më e mira, edhe pse ka shkuar në finalen e Europë League. Gjatë gjithë sezonit e ardhmja e trajnerit italian në krye të “Bluve të Londrës” është vënë në dyshim.
Sikurse raporton “Gazzetta Dello Sport”, Sarri pëlqehet nga drejtuesit e Juventusit dhe kjo për shkak të stilit të lojës që ekipet e tij aplikojnë. Me Napolin kishte momente që i vuri në vështirësi bardhezinjtë dhe njohja e kampionatit italian është gjithashtu një element shtesë. Në Torino janë pragmatistë dhe normalisht bëjnë llogari edhe me situatën e Sarrit te Çelsi, që mund t’i ndihmojë ata për ta bindur italianin të drejtojë Juventusin. Poçetino gjithsesi mbetet dëshirë…