Milani dhe Xhenaro Gatuzo i ndanë rrugët e tyre një ditë më parë, me trajnerin italian që u largua nga stoli i kuqezinjve. Tashmë kanë nisur përgatitjet për Milanin e ri dhe çështja e parë që duhet zgjidhur është ajo e trajnerit të ri.
Siç raportohet së fundmi nga mediat në Itali, duket se Paolo Maldini e ka të preferuarin e tij, që pritet edhe të jetë sipas gjasave timonieri i ri i “Djallit”. Bëhet fjalë për Marko Xhampaolon, trajnerin e Sampdorias, i cili pëlqehet shumë nga ish-kapiteni i Milanit.
Kontaktet e para kanë nisur, me Ivan Gazidis që ka nisur të lëvizë me shpejtësi. Duhet përmendur që Xhampaolo ka drejtuar gjithnjë ekipe të dorës së dytë dhe Sampdoria ishte skuadra më e mirë që ka pasur gjatë karrierës së tij si trajner.