Hektor Idrizaj është objektiv i Partizanit. Trajneri Skënder Gega do nën urdhrat e tij një mbrojtës të djathtë, pasi aktualisht ka në dispozicion vetëm Labinot Ibrahimin. Vlonjati i Kamzës është në listën e dëshirave të të kuqve dhe mes palëve ka pasur edhe bisedime konkrete.
Por klubi periferik i kryeqytetit nuk heq dorë fort kollaj nga shërbimet e Idrizajt. Ai është nën kontratë deri në fund të sezonit dhe është presidenti Naim Qarri ai që vendos. Pa një marrëveshje mes klubeve nuk mund të ketë ndryshim skuadre për mbrojtësin e djathtë.
Supersport raporton se Qarri ua ka bërë të qartë drejtuesve të Partizanit, se për të marrë Idrizajn duhet të japin në këmbim 3-4 lojtarë. Nuk flitet për emra, por marrëveshja mund të mbyllet edhe me ndonjë shumë parash. Deri më tani nuk ka akord dhe duhet pritur se çfarë zhvillimesh do të ketë në vijim.