Pozicioni i mbrojtësit të majtë mbetet ende një çështje e pazgjidhur për kombëtaren tonë. Së fundmi trajneri Panuçi ia ka besuar atë rol mbrojtësit të Malmos Egzon Binaku, i cili ka marrë 90 minuta të plota në katër ndeshjet e fundit të kombëtares.
Megjithatë, fakti që 23-vjeçari luan në kampionatin suedez ka sjellë një disavantazh të madh për Binakun. Problematika qëndron te formati i kampionatit pranverë-dimër që përdoret në të gjitha vendet nordike.
Në vitin aktual, Binaku ka luajtur vetëm 90 minuta në një takim kupe, ndërsa sezoni ri i “Allsvenskan” fillon gjatë muajit prill. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i trajnerit Panuçi për mëngjarashin e kombëtares sonë.
Ndërkaq, alternativat e tjera për këtë rol nuk janë të pakta. Ermir Lenjani dhe Besir Demiri janë më favoritët pasi janë ftuar më parë nga trajneri i kombëtares sonë, ndërsa një opsion tjetër është Naser Aliji, i cili është rikthyer të luajë rregullisht në Rumani me Dinamon e Bukureshtit.