Sezoni 2018/2019 u mbyll me zhgënjim për Vorën, që nuk ia doli të mbijetonte në Kategorinë e Parë, edhe pse luftoi deri në fund, bëri revolucion në janar dhe u përball me probleme pa fund, duke nisur nga mungesa e një stadiumi të licencuar nga FSHF.
Të luajturit gjithnjë në transfertë ndikoi jashtëzakonisht, ashtu si mungesa e eksperiencës, apo edhe mungesa e aleatëve, sepse në Kategorinë e Parë shpesh gjërat nuk zgjidhen në fushë, sidomos në muajt e fundit të sezonit, një katrahurë e nxitur edhe nga skema e kampionatit, me fazë play-out dhe përgjysmim pikësh, duke bërë që klubet ta “mprehin” mirë lapsin.
Goditjen fatale Vora e mori në 27 prill, kur u mund në Pezë-Helmës nga Veleçiku, ndërsa një javë më pas u mund në minutat e fundit në Burrel, dy ndeshje që mund të ndryshonin sezonin, edhe pse Vora ka shumë pengje, sepse shpesh këtë sezon kaloi e para në avantazh dhe nuk fitoi dot.
Kohët e fundit ka pasur edhe aludime se klubi nga periferia e Tiranës ka probleme financiare dhe se mund të mos jetë një ekip pretendent sezonin e ardhshëm, por gjithçka hidhet poshtë nga drejtori teknik Gazmir Fuçia, i cili edhe pse 37-vjeçar, edhe këtë sezon është aktivizuar në disa ndeshje, duke shënuar gol nëntorin e shkuar ndaj Vllaznisë.
– Zoti Fuçia, Vora ra nga kategoria dhe në një farë mënyre sezoni mund të quhet i dështuar.
– E vërtetë, por si ekip debutues u paraqitëm mirë dhe patëm shumë gjëra kundër, ndaj nuk mund ta quaj dështim. Në futboll nuk mund të fitojnë të gjithë dhe ka edhe ekipe që bien nga kategoria, sado të mëdhenj qofshin si emra. Ekipi ishte i ri, eksperiencë mungonte në këtë nivel dhe kjo u pa qartë gjatë sezonit. Natyrisht, vuajtëm shumë edhe faktin që i luajtëm gjithë ndeshjet shtëpiake në fushë asnjanëse, sepse dihet mirë sa i rëndësishëm është në Shqipëri faktori fushë.
– Sa e vështirë është për një ekip debutues të çajë në Kategorinë e Parë?
– Shumë e vështirë, jo vetëm për arsyet që thashë më sipër, por edhe për faktin se në Katëgorinë e Parë shumë klube kanë vite që bëjnë aleanca dhe dinë si të bëjnë llogari edhe jashtë fushës së blertë. Ne nuk jemi marrë dhe as që i mendonim gjëra të tilla, por më pas i vuajtëm në kurriz.
– Plaga e futbollit shqiptar, financat. Si ka qenë situata te Vora?
– Korrektësi maksimale, gjatë gjithë sezonit. Nuk është larguar asnjë futbollist nga Vora pa u likuiduar, kemi qenë një ndër klubet më korrekte në Kategorinë e Parë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme edhe në FSHF.
– Po spastrimi i janarit, për çfarë erdhi? A kishte lidhje me financat?
– Jo, vetëm me rezultatet. Shumë lojtarë nuk dhanë atë që prisnim prej tyre, edhe pse në fillim të sezonit menduam të bënim pak përforcime, duke shpresuar se ekipi i sezonit të shkuar do të dinte të merrte rezultate edhe në Kategorinë e Parë. Ndryshuam trajner dhe afruam shumë lojtarë, por natyrisht duhej kohë, duhej fat dhe duhej luftuar edhe kundër aleancave.
– Si është plani i klubit për të ardhmen?
– Puna do të rinisë në verë, do të marrim masa që ekipi të jetë i kompletuar para fazës përgatitore dhe do të rikthehemi në Kategorinë e Parë, jam i bindur. Financiarisht klubi është në duar të sigurta, mund të ndryshojnë njerëzit, por jo financat. Besoj se 70% e skuadrës aktuale do të qëndrojë, do të punojmë me kujdes, duke përfituar edhe nga eksperienca e akumuluar këtë sezon. Rënia nga kategoria nuk është dramë, rëndësi ka të ringrihesh më i fortë dhe më profesionist, ndaj premtoj se Vora do të rikthehet edhe më serioze në Kategorinë e Parë. Falënderon edhe kryetarin e bashkisë Vorë, zotin Fiqiri Ismaili, sepse na ka qëndruar pranë, me një korrektësi të admirueshme. I jemi mirënjohës dhe e kemi detyrim ta kthejmë Vorën në Kategorinë e Parë.