Piter Olajinka shkëlqeu me Zulte Varegem dhe kjo bëri shumë klube të visheshin pas tij. Gjithsesi ofertën më bindëse e bëri Slavia e Pragës. Sulmuesi nigerian tashmë është transferuar në Çeki dhe për kartonin e tij u paguan 3.2 milionë euro.
Për belgët e Gent ky ishte një biznes me leverdi, pasi sulmuesi nuk luajti asnjë ndeshje me ta dhe në fund arritën të përfitojnë një shifër të “majme”. Por gara për Olajinkën ka qenë e fortë. Oferta për të kanë bërë edhe nga Gjermania, Rusia dhe Franca, por ish-sulmuesi i Skënderbeut e kishte ndarë mendjen.
Mes klubeve të shumta që e kërkonin ishte edhe Bordo, francezët që garojnë në Ligue 1. Do të ishte një sfidë e madhe për Olajinkën transferimi te ky ekip, por Slavia ishte më këmbëngulëse dhe në aspektin financiar ofroi më shumë.